Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugollit, është një hap larg rehatimit në pozitën e rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes. Atë të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, ku aktualisht është shef i protokollit.
Dugolli është përzgjedhur në listën e ngushtë për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në dokumentin që e ka siguruar Reporteri.net, figuron se Dugolli e ka një kundërkandidat për këtë pozitë. Ai është Kushtrim Brahimaj, ish-Zëvendës Ministër në Ministrinë e Financave gjatë Qeverisë së Haradinajt. Të dy ata do të vazhdojnë procedurën e mëtejme për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Lista me kandidatët e ngushtë është publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, saktësisht Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, më 13 qershor 2022.
Gafurr Dugolli aktualisht është shef i Protokollit në Ministrinë ku po synon të avancohet përmes një konkursi të hapur në pozitën e sekretarit të përgjithshëm.
I vëllai i tij, Enver Dugolli ka mbajtur më herët pozitën e zëvendësministrit në Ministri të Mbrojtjes, derisa aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.