Gjatë ditës së djeshme, Blici serb raportoi se serbët e Kosovës do të nisnin në mënyrë të pavarur formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sot në mëngjes, ndërkohë, Vuçiq paralajmëroi diçka për Vidovdan. Sa janë serioze këto ‘paralajmërime’?
Sipas këtij raportimi me anë burimesh, që më pas u përcoll edhe nga medie të tjera serbe, ishte që kryetar i parë i Asociacionit të bëhej Dragisha Milloviqi, një mjek dhe ish-kryetar i Komunës së Zveçanit.
Sot ndërkohë, presidenti serb bëri këto paralajmërime:
““Në Vidovdan gjithçka do të mund të shihet, serbët do të marrin hapa paqësorë në rrugën e tyre të lirisë, në pajtim me normat e së drejtës ndërkombëtare,” – tha ai.
“Le të mendojë kush të dojë se po bëj bllof,” – vazhdoi tutje z. Vuçiq. Presidenti i Serbisë ndërkohë i tha praktikisht jo një takimi tjetër të mundshëm në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe ndërmjetësuesit evropianë.
Procesi
Procesi i negociatave për Asociacionin në Bruksel ka nisur më 2 maj, ashtu siç e ka pranuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Pikërisht më 2 maj, Ekipi Menaxhues e kishte prezantuar një draf të statutit të Asociacionit i cili ishte konsideruar i papranueshëm nga Kosova. Edhe kryeministri Kurti e kishte prezantuar një draft-vizion por për të cilin nuk kishte marrë koment nga ana e ndërmjetësuesve.
Sidoqoftë, Kosovës i është bërë thirrje në vazhdimësi që të prezantojë draftin e saj të statutit nga ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë. Serbia në anën tjetër ka deklaruar se Kosova nuk ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë në bazë të planit të zbatimit të marrëveshjeve të kaluara.
A janë serioze paralajmërimet?
Ishte marsi i vitit 2018 kur fillimisht Lista Serbe kishte paralajmëruar publikisht për një gjë të tillë.
Ata kishin kërkuar që nëse Asociacioni nuk themelohej deri më 20 prill, atëherë do ta bënin vetë.
Ajo deklaratë kishte qenë edhe si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit, në atëkohë drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë.
“Nëse Perëndimi dhe Prishtina nuk dëshirojnë ta formojnë Bashkësinë e komunave serbe, ne e kemi të drejtën e plotë legjitime që vetë ta marrin fatin në duar tonë dhe ta formojmë Bashkësinë e komunave serbe,” – kishte thënë Ivan Todosijeviq.
Por, siç e dimë, 20 prilli 2018 kishte ardhur dhe Lista Serbe ishte zmbrapsur.
Marrë parasysh edhe dinamikën e dialogut dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër nuk besohet që serbët nën orkestrimin e Beogradit do ta ndërmarrin një veprim të tillë tash për tash.