Edi Paloka, deputeti i PD-së, pas zhvillimeve të tjera të rënda sot në Kosovë, rrëmbimit të tri policëve të saj nga forcat serbe, ka shigjetuar Kryeministrin Edi Rama për sulmin e dhunshëm që i bëri Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe për garancitë që dha në emër të mikut të tij, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën.
Në reagimin e tij në Fb, Paloka shkroi:
“Jo me larg se dje, pasi shpalli sanksionet ndaj Kosovës, Rama jepte garanci në emër të Vuçiçit se asnjë kërcënim nuk i vinte Kosovës nga ushtria serbe e vendosur në kufi me urdhër të Vuçiçit. “As në ëndërr nuk e sheh Vuçiç të hyjë qoftë edhe një milimetër në territorin e Kosovës”- deklaroi Rama dje në konferencë për mediat.
Sot i mbetet të dalë e ashtu si vllau i tij Vuçiç, të deklarojë se ishin policët e Kosovës që kishin hyrë në territor serb!”