Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dolën në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ku kanë biseduar për rastin e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.
Gjatë pyetjeve të gazetarëve, Kurti në një moment u bë nervoz, pasi një gazetare ia bëri disa pyetje.
“Ndoshta e kemi vështirë t’u përgjigjemi sepse po të ishte veç edhe një pyetje do të ishte pyetësor, e nuk mbajtëm shënime”, tha Kurti.
Ai tha se mikrofonin gazetarët e marrin për ta bërë vetëm një ose dy pyetje.
“Sepse ne, t’ua them të drejtën, ua japim mikrofonin për një ose dy pyetje, jo për 4-5 dhe nuk ka nevojë të zgjatemi kaq shumë sepse është konferencë, nuk është intervistë për media”, tha kryeministri.
Në përgjigje e sipër, Kurti kërkoi “më shumë durim”.
“Ju lutem mos më ndërpreni. Me shumë durim po ju dëgjoj. Ta përfundoj unë fjalën. A mundem?”, tha ai.