Fatmir Konja
Sapo kishte vënë këmbë në kryeministri, kur Edi Rama iu vetëofrua Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkatërrimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Ca më vonë iu vetëofrua BE-së për ndërtimin e kampeve për refugjatët, e më tej iu vetëofrua NATO-s për strehimin e refugjatëve afganë.
Në funksion të qëllimit për të krijuar një profil politik që i kapërcen kufijtë e rajonit, Rama mori përsipër edhe aksione të pamundura paqtimi, ndërsa kreu ecejake nga Ankaraja në Athinë e nga Moska në Kiev.
Megjithatë, ka qenë Kosova, ajo mbi të cilën, Rama është angazhuar pa ndërprerje për të fituar kredite ndërkombëtare dhe mbështetje për jetëgjatësinë e pushtetit të tij politik.
Ai nuk ngurroi të neglizhojë interesin kombëtar dhe të bashkërendohet me qasjen jugosllaviste për rajonin me synim tolerancën e Perëndimit ndaj korrupsionit qeveritar dhe rrënimit të demokracisë në Shqipëri dhe po ashtu qëndrimit të gjatë në pushtet.
Edhe në Mal të Zi qeverisi për tri dekada klika e korruptuar e Gjukanoviçit, por është fakt se ajo punoi pareshtur për forcimin e identitetit dhe sovranitetit malazez dhe po ajo e shprishi entitetin shtetëror Serbi-Mal i Zi, rrënojën e fundit që të kujtonte Jugosllavinë.
Thënë këtë, është e vështirë të qëmtosh qëllime të mira për vendin dhe kombin, në investimin e jashtëzakonshëm të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për t’iu vetëofruar kancelarive perëndimore si lehtësuesi i komunikimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç lidhur me Kosovën.
Meqenëse ky i fundit, e ka pranuar Ramën si të tillë, si lehtësues pra, vështirë të thuhet se e ka dhënë pëlqimin thjesht sepse kryeministri i Shqipërisë i ka thurur elozhe ndonjë futbollisti, apo ka nderuar ndonjë këngëtar serb. As edhe për përqeshjen e liderëve politikë të Kosovës në bisedat e tyre të gjata telefonike.
Edi Rama ka dhënë prova më të qarta e më të prekshme për barazlargësi nga Prishtina dhe Beogradi.
Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka pranuar drejtpërdrejt, por ka qenë një mbështetës i zellshëm i planit për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Plani buroi nga Beogradi dhe për interesat e Serbisë, por Rama e konsideronte të mirë për Kosovën edhe pse për këtë nuk arriti të bindë askënd në Kosovë përveç Thaçit.
Asokohe, Rama qëndroi pas shpinës së Merkelit, kur asaj iu shpalos plani në hartë nga Thaçi e Vuçiçi. Plani dështoi, por Rama i mori frytet e mbështetjes politike, si nga Berlini edhe nga Uashingtoni.
Më pas, kur u bë bashkëautor me Vuçiçin në projektin kriptojugosllav me emrin “Ballkan i hapur”, Rama nuk mori parasysh për asnjë çast kundërshtimin e Kosovës ndaj atij projekti. Rama avancoi me këmbëngulje agjendën rajonale dhe promovimin e gjerë ndërkombëtar të nismës, duke vënë paralelisht në vështirësi para Perëndimit udhëheqësinë politike të Kosovës. E luftoi me forcë edhe taksën njëqind për qind që i kundërvihej “Ballkanit të hapur”. Edhe në këtë rast mori kreditet politike ndërkombëtare që synonte.
Për më tepër, para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kreu i shtetit serb Aleksandër Vuçiç shprehu rrezikun për destabilitet rajonal nga një rotacion i mundshëm i pushtetit në Shqipëri. Është e qartë se kujt ia drejtoi apelin.
Rama vazhdon të qeverisë Shqipërinë dhe vazhdon të ndjekë të njëjtën rrugë.
Mbështetës i një ideje të rrezikshme për Kosovën, bashkëhartues i një projekti të dëmshëm për të, para pak ditësh Rama, duke i ardhur në ndihmë Vuçiçit, i dha të drejtën vetes të hartojë dhe t’u dërgojë presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draftstatut për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe.
Në Kosovë nuk u mor në konsideratë. Nga Serbia nuk është dëgjuar asnjë qortim për këtë plan. Sidoqoftë, Rama është duke mbledhur përsëri kredite politike ndërkombëtare duke u riverifikuar si negociator i barazlarguar nga Prishtina dhe Beogradi.
Në njëfarë mënyre, ai i ka kcy Kosovës n’shpinë të sundojë Shqipërinë.
E ndërkohë e ka shprehur hapur bezdinë “estetike gjuhësore” ndaj gegnishtes së Kosovës që mbiemrin e presidentit serb e shqipton me “q” e jo me “ç”.