Escobar: Po të vendoste SHBA, i gjithë rajoni do të ishte në BE deri në vitin 2030

Nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030, i gjithë Ballkani Perëndimor do të ishte brenda Bashkimit Europian, tha Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i Dërguari Special i SHBA-së për rajonin në një intervistë të zhvilluar për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Europës Juglindore (IPESE) nga Beogradi.

Escobar tha se deri në vitin 2030 presin që “investimet në ekonomi të fillojnë të krijojnë mundësi reale” për anëtarësim në BE, përcjell Gazeta Express.

“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030 i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Europian. Por ndërkohë, deri në vitin 2030 ne presim që investimet në ekonomi të fillojnë të krijojnë mundësi reale”, tha Escobar.

“Unë supozoj se deri në vitin 2030, të gjitha vendet e rajonit do të jenë në rrugën e tyre të mirë për t’i përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, se do ta bëjnë një rrugë të gjatë për ta reduktuar korrupsionin dhe për të hapur mundësi që të rinjtë të kenë një të ardhme ekonomike afatgjatë në rajon. Kështu që unë shoh një të ardhme shumë, shumë pozitive për Serbinë dhe për rajonin në tërësi”, tha diplomati amerikan.