Zyra e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ka dhënë një përgjigje në lidhje me propozimin draft statutit për Asociacionin të kryeministrit Edi Rama. Në një reagim, zyra e Kurtit thotë se kjo çështje është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
Më tej theksohet e nga Shqipëria Kosova pret mbështetje, pasi ndërmjetësuesit janë të shumtë.
“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj.
Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiçit që synonte një Republika Srbska në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për “Botën Serbe”.
Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, thuhet në reagimin për Top Channel.