Duke komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, eksperti i sigurisë Drizan Shala thotë se në aspektin politik, qeveria e Kosovës gaboi në marrjen e vendimeve, duke mos u koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në fushën politike, ku është konstatuar që kemi gabuar me marrjen e veprime politike pa koordinim dhe subkordnim me SHBA, e cila pastaj reagoi duke na “edukuar” se si nuk do të duhej të marrim veprime të njëanshme që shkaktojnë konfuzion në një proces vendimmarrëse të Kosovës që ka hyrë”, thotë Shala.
E në aspektin e sigurisë, sipas Shalës policia e Kosovës veproi drejtë dhe në mënyrë efikase.
“Në fushën e sigurisë mund të nxjerrim një përfundim që policia ka vepruar drejtë dhe në proporcion me rrezikun që iu është kanosur jeta, por edhe institucionet në fjalë”, shprehet Shala.
Më tej, Shala paralajmëron zgjedhje të reja në nivel vendi.