Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka deklaruar se dëshirojnë të shohin stabilitet dhe zgjidhje të shpejtë të situatës në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se duhet të lehtësohen bisedimet dhe të qetësohet menjëherë situata në veri të vendit.Në Forumim “Globsec 2023” në Bratislavë të Sllovakisë, ai ka potencuar se e ka kuptuar qëndrimin e Kosovës në raport me Serbinë në përgjithësi, duke e pëmbledhur me tri fjali, kërkim falje për agresionin e Millosheviqit, njohje dhe pastaj normalizim.
“Mendimi ynë për Kosovën, para së gjithash, dëshirojmë të shohim stabilitet, paqe dhe zgjidhje të shpejtë të këtij incidenti që ndodhi disa ditë më parë ku u plagosën disa pjesëtarë ushtarakë të KFOR-it, kjo është e para. E dyta është se ne jemi të vetëdijshëm për situatën delikate të ekuacionit përfundimtar të situatës së Kosovës.
Mënyra se si unë e kuptova në shumë aspekte qëndrimin e lidershipit të Kosovës është si vijon në raport me Beogradin, apo me Serbinë në përgjithësi, dhe do ta përmbledh në tre fjalë; kërkim falje për agresionin e Millosheviqit, njohje, dhe pastaj normalizim. Me pak fjalë ky është qëndrimi që ne të gjithë mund ta nxjerrim nga baza e qëndrimit të Kosovës, gjë që është plotësisht e kuptueshme. Në të njëjtën kohë që cilido lider politik në Serbi që do e njohë Kosovën, nuk mendoj se ka shumë perspektivë karriere në politikë atje. Kjo e bën zgjidhjen shumë të komplikuar.”, ka thënë ai.
Kryeministri kroat ka potencuar se duhet të qetësohet menjëherë situata në veri të Kosovës.
“Ta lëmë të kaluarën në të kaluarën dhe gjithçka do të jetë mirë në të ardhmen’, nuk qëndron, thjesht nuk qëndron, realiteti është ndryshe. Pra, ajo që duhet të bëjmë është të lehtësojmë bisedimet, të qetësojmë situatën menjëherë dhe të gjejmë zgjidhje se si pjesa veriore e Kosovës, ku serbët janë shumicë, të cilët bojkotuan zgjedhjet kohët e fundit, mund të marrin pjesë në procesin demokratik, kjo është thelbësore, pa pjesëmarrje në procesin demokratik nuk po dërgoni sinjale të ndërtimit të besimit dhe bashkëjetesës në një pjesë shumë të vogël të vendit.”, ka shtuar ai.
Serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që, serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.