Dusan Obrenoviq, i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për sulm ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan, njihet për raporte të afërta me anëtarë të organizatës fashiste të ekstremit të djathtë “Fronti i Solidaritetit Evropian për Kosovën – ESFK”, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe promovon ndjenja anti-perëndimore.
Në vitin 2019, Policia e Kosovës kishte ndaluar tetë anëtarë të organizatës së ekstremit të djathtë ESFK, me arsyetimin se ata kishin planifikuar që gjatë ndeshjes së futbollit të kombëtares së Kosovës kundër Çekisë, ta ngritnin dronin mbi stadium me flamurin me mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Shumica nga të ndaluarit ishin shtetas të Republikës së Çekisë, me lidhje të forta me Rusinë.
Dy muaj para ndalimit të shtetasve të Çekisë nga Policia e Kosovës, ata ishin pritur në Mitrovicën e veriut nga Dusan Obrenoviq dhe kanë pozuar para urës kryesore mbi lumin “Ibër”.
Në muajin Shtator 2022, dy anëtarëve të kësaj organizate (ESFK), Dimitrije Markovic dhe Nenad Jermic, u është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës për shkak të aktivitetit të tyre kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Njëri nga personat që i është ndaluar hyrja në Kosovë, Dimitrije Markovic, gjithashtu njihet për raporte të afërta me Dusan Obrenovic dhe që të dy janë pjesë e organizatës së ekstremit të djathtë “EFSK”, e cila udhëhiqet nga anëtari i partisë se ekstremit të djathtë gjerman, Maik Muller.
Anëtarët e organizatës së ekstremit të djathtë “ESFK” ishin shpërblyer nga Serbia për aktivitetin e tyre propagandues në Kosovë.