Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka dhënë informata shqetësuese për masat e mundshme që mund të pësojë Kosova për shkak të situatës së tensionuar në veri të vendit.
Selimi në Twitter ka thënë se tri shtete të BE-së po i shqyrtojnë kërkesat për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe liberalizimin e vizave.
Ai ka thënë se këto janë lëvizje drastike e të pa pranueshme.
“Informacioni më i fundit nga diskutimet brenda BE-së. Të paktën 3 shtete anëtare të BE-së (nuk do t’i përmendim këtu) po shqyrtojnë kërkesën për pezullimin e fondeve të IPA-s dhe visalib-it për Kosovën. Lëvizje drastike, e papranueshme, nëse shtyhen. Tani kemi nevojë për zgjidhje konkrete të paraqitura nga Kosova.” – ka shkruar Selimi në Twitter.
Për këtë informatë ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Von Cramon ka thënë se duhet një zgjidhje urgjente për veriun teksa ka thënë nuk duhet të ndodhë që të ndalet fondet dhe tërheqja e liberalizimit të vizave.
“Këto informacione i dëgjoj për herë të parë. Unë mund të imagjinoj se kush mund të qëndrojë pas kësaj, por të vihet në dyshim VisaLib dhe fondet e IPA-s është absolutisht e ndaluar. Na duhet një zgjidhje urgjente politike për veriun!” – ka shkruar ajo.
Ndërkohë, për punën e masave të mundshme ka folur edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borell.
Borell të martën ka thënë se vendet e BE-së janë informuar për situatën në veri dhe po diskutojnë masat e mundshme që duhen marrë nëse palët vazhdojnë t’i rezistojnë hapave të propozuara për shpërshkallëzim.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka arritur në Bratisllavë të Sllovakisë për të marrë pjesë në Forumin “Globsec2023”.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë me dije se në këtë forum i pari i qeverisë pritet të takojë shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrel dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Po, kryeministri Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër të tjerash, atje do të takojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrel dhe emisarin e BE-së, Lajcak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë.” – ka thënë Kryeziu për Klankosova.tv.
Përveç sanksioneve të mundshme nga BE-ja, tashmë Kosova është njoftuar me sanksionet e Amerikës.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka bërë të ditur se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023”, teksa ka paralajmëruar edhe masa të tjera, nëse nuk de-përshkallëzohet situata në veri.