As kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë gatishmëri që të takohen shpejt në Bruksel.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dështuar që t’i bindë ata për një takim të shpejtë. Korrespondentja e RTK-së nga Brukseli në lidhje të drejtpërdrejtë nga Brukseli, tha se Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar masat që do të ndërmerren ndaj palëve që refuzojnë de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
Ajo tha se Brukseli zyrtar është duke u marrë shumë seriozisht me këtë situatë dhe është shumë i shqetësuar, aq sa edhe Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, sot foli për gjendjen në Kosovë, pas një takimi nuk kishte fare lidhje me Kosovën.
“Ai tha se u ka bërë kërkesë autoriteteve të Kosovës që të pezullojnë aktivitetet policore në komunat në veri, kurse kërkon nga protestuesit që të ndërprenë protestat e dhunshme, por nuk mos iu referuar përkatësisë etnike, edhe pse në kërkesën e parë ishte e qartë se ka të bëjë me veriun e Kosovës”, tha gazetarja Tuhina.
Sipas saj, asnjëherë në porositë e Brukselit nuk i referohen asaj se çfarë duhet të bëjnë kryetarët e komunave të zgjedhur, por u tha se po punohet direkt me ta përmes ambasadorëve për hapat që ata duhet të ndërmarrin.
“Por thuhet se edhe kryetarët e komunave janë në presion të Prishtinës zyrtare, andaj siç u shpreh edhe një zyrtar i këtushëm, i gjithë presioni tani është mbi kryeministrin Albin Kurti”, tha Tuhina.
Ajo rikujtoi se shefi i diplomacisë evropiane, e ka konfirmuar se edhe mbrëmë vonë ka diskutuar edhe me presidentin serb, Vuçiq e sot në mëngjes edhe me kryeministrin e Kosovës, Kurti dhe se po bëhet çmos që të organizohet një takim urgjent i liderëve.
“Rasti ideal ishte që takimi të mbahet në Bratislavë ku po mbahet një konferencë ndërkombëtare, por duket se të gjitha përpjekjet kanë dështuar sepse nuk ka shkuar as Kurti që ishte pjesë e panelit e të njëjtën e ka bërë edhe Vuçiq”.
Sipas Tuhinës, nuk ka gatishmëri që palët të takohen ad-hoc për nesër.
“Lajçak duket se nuk ka pasur sukses që t’i bindë palët”.