Profesori universitar, Blerim Latifi, ka komentuar foton e shpërndarë nga zv.kryeministri Besnik Bislimi ku kryeministri Edi Rama etiketohet si “pro-serb”. Latifi thotë se kjo nuk ka qenë e rastësishme.
Latifi shton se asnjë shqiptar nuk ka mundur të ndihet mirë me atë foto.
“Ajo shpërndarje e atij statusi nuk është e rëndësishme por reflekton një disponim që qëndron brenda qeverisë aktuale në raport me Ramën dhe qeverinë që ai drejton. Në këtë kontekst e shoh edhe fotografinë e Selanikut që e postoi zv.kryeministri. Unë shoh një sjellje infantile të presidences dhe shpreh një kulturë të retushuar.
lojëra me fotografi nuk i bëjnë nder presidentes së Kosovës dhe askujt në Kosovë. Kjo distancë dhe anomizitet është i turpshëm. Këta nuk janë armiqë. Janë përfaqësues të dy shteteve dhe i takojnë një kombi. Një etnie. Kjo fotografi i ka bërë të ndihen keq shumë shqiptarë. Uroj që të mos përsëritet asnjëherë”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Gjithsesi Latifi nuk pajtohet me mendimin se politikanët shqiptarë të Shqipërisë nuk e kanë përkrahur Kosovën. Ai shton se as lufta e UÇK-së nuk ka mundur të ndodhte po të mos ishte Shqipëria.
“Megjithatë po brenda politikës shqiptare ka ekzistuar vazhdimisht një linjë që e ka afirmuar përkrahjen e Kosovës. Kemi figura nga më të ndryshmet. Shumica e atyre që e kanë përbërë Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës kanë qenë nga Shqipëria. Edhe Zogu pastaj ndërron mendim, sikur Enver Hoxha që në fillim ishte nën tutelën e Titos. Në vitet 90 asnjë plumb nuk kishim mundur ta shkrepim në Kosovë pa e pasur Shqipërinë”, shtoi ai.