Derek Chollet, Këshilltar i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, mbrëmë ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan Gazeta Metro.
Gjatë bisedës, siç bëhet e ditur përmes komunikatës së ZKM’së, Kurti dhe Chollet ndër tjerash kanë biseduar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku theks i veçantë i është kushtuar zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Po ashtu pjesë e bisedës së të dyve, ka qenë edhe situata në veri, më saktësisht në katër komunat veriore, pas zgjedhjeve të 23 prillit.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti bisedoi me Këshilltarin e Lartë të Departamentit të Shtetit, Chollet
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë pati një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.
Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.