Modeli që Kroacia e ka në zbatim për pakicën serbe, është përmendur si një prej shembujve për të cilin edhe qeveria e Kosovës është duke e shtyrë përpara për të aplikuar në vend. Por se çfarë përmban ky model dhe a mund të implementohet në Kosovë, kanë treguar njohësit e rrethanave politike në vend.
Disa prej kritereve që i përmendi emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak lidhur me Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, plotësohen nga një prej shembujve që po përmendet më së shpeshti këto ditë.
Është modeli i shtetit të Kroacisë për pakicën serbe atje, që përputhet me ato që diplomati sllovak i përmendi, si të bazuara në normat dhe vlerat e BE-së, dhe në pajtim me modelet ekzistuese evropiane.
Por çfarë përmban ky plan dhe ku e ka bazën tregon njohësi i rrethanave politike, Artan Muhaxhiri.
Muhaxhiri ka thënë se “Ideja kryesore e planit kroat është që të ketë autonomi kulturore, arsimore dhe identitetare. Pra në Kroaci serbët insistojnë në ruajtjen e identitetit të tyre dhe në një autonomi kulturore”.
Megjithatë, sipas tij, një model i tillë është vështirë i implementueshëm në Kosovë.
“Raporti i Kroacisë me Serbinë nuk është i njëjtë me raportin e Kosovës me Serbinë dhe për këtë arsye unë mendoj që nuk do të merret shumë parasysh edhe pse është mirë që Kurti e ka vendos në tavolinë si ide nga e cila mund të nis edhe debati, gjithmonë duke e krahasuar planin e Ekipit Menaxhues”, tha ai.