Nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri ka reaguar pas deklaratës së Glauk Konjufcës për Isa Mustafën, të cilit i dha kredit për letrën garantuese të Federica Mogherinit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke thënë “nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”
Pas kësaj deklarate të Kryeparlamentarit Konjufca Lutfi Haziri ka shkruar në facebook.
“Dy fjalë për Glauk Konjufcën: Nëse për letrën e Mogherinit ia dhe dorën Isa Mustafës, për rolin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin duhesh me e përqafë. Përtej kësaj, më mirë vonë se kurrë!” thotë Haziri në reagimin e tij.
Ndryshe, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca duke folur mbrëmë për letrën garantuese të ish-përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se Asociacioni nuk do të përbëjë nivel të tretë të pushtetit në Kosovë, tha se ajo letër sot po i ndihmon shumë Kosovës.
“Na u është dukur një siguresë e mirë….Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, ka thënë kreu i Kuvendit.