“Fatmir Haklaj i çarmatosi, pastaj u futën nga Prizreni, ne i ndalëm përsëri”, Halitjaha shpjegon ngjarjen

Komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, ka treguar përballjen e UÇK-së në Prizren me atë që njihet si “Brigada Mërgimi”.

Ushtarët e brigadës “Mërgimi” ishin ndalur në Tropojë nga Fatmir Haklaj dhe nuk ishin lejuar të futeshin në Kosovë pasi nuk i ishin bindur urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, tregon Halitjaha. Ai shton se ata ishin futur pastaj nga Pashtriku dhe në Prizren, e këtu ishin ndalur nga UÇK-ja që vetëm se ishte futur në Kosovë.

“I kemi ndalur. I thamë kush jeni, thanë UÇK. U thamë rreshtohuni këtu me ushtarët tjerë. Tha jo këto urdhra nuk i zbatojmë vetëm, por vetëm të ministrit. Thashë a jeni me ministrin Krasniqi”, tregoi ai.

“Pastaj disa i çarmatosëm. Disa tjerë i kishte çarmatosur edhe Haklaj atje. U thamë ku jeni deri tash, pse nuk jeni futur me neve disa ditë më herët. Është një e vërtetë se na janë dukur si triumfalistë. Ata donin të futeshin si fitimtarë dhe të thonin se janë ushtri e rregullt, e këta janë rebela që e kanë kallur Kosovën. Madje na pranuan edhe vet se kishin në plan të ngritnin një tendë dhe të formonin një shtab të tyrin dhe të futeshin në bisedime me ndërkombëtarë”, shtoi Halitjaha.