Vuçiq për njohjen e Kosovës: E kam ditur që do të vijë deri tek ky moment

Në pritjen ceremoniale u shfaq i gezuar per ardhjen e musafirit, por ka mjaftuar takimi me dyer te mbyllura me Kancelarin Gjerman Scholz që Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq t’i ndryshojë disponimi plotësisht, transmeton gazeta ditore.

Atë e trishtoi konfirmimi se më herët në Prishtinë gjermani tha se pa e njohur njëra tjetrën si shtete të pavarura Kosova dhe Serbia nuk mund të hyjnë në Bashkimin Evropian.

“Askush më herët nuk ka folur për njohje reciproke përveq Amerikanëve që e kanë prodhuar këtë doktrinë para 3 viteve. Askush ne Evropë nuk e ka kërkuar këtë deri më sot kur dëgjuam atë që u tha në konferencën në Prishtinë. Kjo njohja e ndërsjellë është befasi edhe për ne”, – tha Vuçiq.

Vuçiqit i duhet të pranojë realitetin që thotë se e ka parashikuar. Më tej Presidenti Serb ka vazhduar: “Gjermania është e fuqishme e ne jemi të vegjël, gjërat po shkojnë në dëm të Serbisë ashtu siq e kam paralajmëruar. E kam ditur që do të vijë deri tek ky moment.”

Scholz që para mediave në Beograd foli me tone diplomatike tha se dihet tashmë qëllimi i dialogut mes dy vendeve dhe se kërkohet përparim urgjent, madje duke mos përmendur direkt Serbinë, ai tha se shtetet duhet t’i vendosin sanksione Rusisë shkak luftës në Ukrainë, por detajet i shpalosi Vuçiq.

“Kancelari në mënyrë të vendosur e të ashpër kërkoi nga Serbia që të bashkangjitet në sanksionet kundër Federatës Ruse”, – tha Vuçiq./Gazeta Ditore