Janë arrestuar dy policët kufitarë malazias të cilët keqtrajtuan dhe rrahën shtetasin shqiptar, Petraq Milo, në janar të këtij viti.
Kështu mësoi jozyrtarisht transmetuesi publik malazias “RTCG”.
“Ushtruesi i detyrës së prokurorit në ZDT në Ulqin, siç mësohet jozyrtarisht, ka urdhëruar arrestimin e dy policëve të cilët dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më 15 janar në pikën e përbashkët kufitare Sukobin – Muriçan, në të cilën ndodhi keqtrajtimi i një shtetas shqiptar. Në fjalë, siç mësojmë, janë policët D.Š. dhe N.B”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa sot gjatë ditës, kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar një shtetas të huaj në kufi me Shqipërinë, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”.
Ai tha se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate.
Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.
“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviq.