Ministria e Hajrulla Çekut, do ta promovojë kulturën përmes Radio Televizionit Publik, si agjenci marketingu, duke e paguar transmetuesin publik me 750 mijë euro për tre vjet. Kështu ka raportuar sot Koha, duke publikuar edhe Memorandumin e Bashkëpunimit mes ministrisë së Kulturës me RTK-në.
Ministri Hajrulla Çeku, ishte ankuar para disa muajsh, se nuk po i ‘mbulohen’ ngjarjet nga mediat. Ai madje kishte shprehur habi se pse po ndodh kjo.
Mirëpo, ministri ka vendosur të mos mbesë i habitur pafundësisht.
Çaren do t’ia bëj kësaj pune, përmes RTK-së, duke e shndërruar këtë të fundit në një lloj agjencie të marketingut dhe duke e paguar për promovim transmetuesin publik, hiç më pak se 750 mijë euro për tri vjet.
“Këtë e ka zyrtarizuar më 9 shkurt, kur vetë ministri Çeku ka nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit me kryetarin e Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Me shtatë rreshta e gjysmë komunikatë për media, ishte bërë i ditur nënshkrimi i Memorandumit, pa u specifikuar detajet e përmbajtjes”, shkruan Koha.
Lidhur me këtë, ka pasur një seri reagimesh, e i fundit që e pamë, është ajo e profesorit Avdi Smajljaj, i cili shkruan:
Ministria e sportit, kulturës, rinisë harxhon 750 mijë Euro për gjëra koti.
E fëmijët tonë bëjnë stervitjet sportive nëpër salla sporti nëpër shkolla me kushte katastrofale, pluhur të madh që as frymë s’mund të marr njeriu si duhet, hapêsirë e pamjaftueshme, e në të ftohtë.
Shkolla e muzikës vazhdon të mbajë klasat në një shkollë tjetër, në një ambient të improvizuar.
Keni gjetur votues që më shumë e vlerësojnë mbrojtjen e inatit të tyre personal se sa interesin e fëmijëve të tyre, grahni.