Deputeti Haki Abazi, si duket e shkarkoi vetën pa e shkarkuar kryeministri i vendit, apo sikur ia ka ndje zemra se do të shkarkohet, sot e mbajti një konferencë para mediave të vendit, duke i përmend disa gjëra që janë shumë të ndjeshme, sidomos çështja e Astrit Deharit.
Deputeti Abazi, e kishte detyrën e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, i cili deklarohet vet se do të shkarkohet nga këto detyra, sepse nuk i shkoi puna në rregull në këtë parti dhe sipas fjalës së tij, janë edhe disa përgjime me audio incizime që tregojnë ngufatje të zërave të deputetëve brenda parlamentit.
Një mundësi të tillë deputeti Abazi, e ka shfrytëzuar në këtë mënyrë, duke u distancuar nga angazhimi i tij në detyrat që i dorëzoi vet, duke i marrë në gojë disa personazhe të gjinisë femërore, të cilat gjëja se ia paskan ndalë hovin e angazhimit, apo me një fjalë tjetër, ia paskan zënë rrugën Hakiut.
Kryesisht ato diferencime të kësaj natyre, kanë ndikuar në personalitetin e deputetit, duke ia humbur imazhin e punës dhe angazhimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, në këto çaste duket edhe i vrazhdë, por edhe i qartë në vendimet që i ka marrë, në një mënyrë apo tjetrën, duke ia shtuar edhe pak shi në «kollomoq» të opozitës.
Por, deputeti Abazi, në një farë forme shprehet edhe i tensionuar në këtë skematizim dhe paraqitje, sidomos kur e quan njërën prej personazheve si çadra e Gadafit, e cila sipas tij, kjo është duke e luajtur rrolin kryesor në Vetëvendosje së bashku me dy të tjera, prej të cilave merren vendime të rëndësishme në këtë parti.
Me të gjitha ato akumulime të rrethanave dhe shprehjeve, deputeti Abazi, me një fjalë tjetër, do të villte në këtë mënyrë fare edukative, duke e quajtur kolegen e vet si «çadër të Gadafit», që e zbehin në tërësi melodramën e deputetit, i cili në këtë mënyrë e shpërdoron kërshërinë e opinionit tonë, ndoshta edhe më larg.
Deputeti Abazi, ma në fund ku e shkeli keq bishtin e shatit, duke përmendur video incizimet e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, me ç’rast e nxjerr një rrëfim që nuk duhet të bëhen lojëra dhe supozime përmes një ngjarje shumë të rëndë, për të përfituar nga llogaritë e tilla, duke akuzuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë rast kryeministrin Kurti dhe ministren e Drejtësisë A.Haxhiu, të cilët sipas Abazit, duhen që të merren në pyetje nga Prokuroria.
Është ky një rast i ndjeshëm, që deputeti Abazi, e ngriti në këtë herë edhe pse nuk duhet të harrohet, por duke pritur kur të shkarkohet nga pozitat që i a ka besuar qeveria Kurti, dhe tani dëgjojmë këto rrethana të cilat zgjojnë kureshtje të madhe dhe të cilat duhet të sqarohen nga deputeti në fjalë përmes Prokurorisë përkatëse, dhe deputeti të merret edhe si dëshmitar, që sipas tij ka dëshmi, sikur deputeti mund të ketë njohuri, por i pasa ruajtur ditën e fundit, kur të shkarkohet nga detyrat.