Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për raportet që mban me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka treguar se nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me të, duke thënë se marrëdhëniet janë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Nuk kemi raporte që janë të pa-ndërmjetësuara nga BE. Nuk jemi shtete mike ne”, ka thënë Kurti në Klan Tv, transmeton Gazeta Express.
Ndërsa, kur është pyetur se si komunikon me të, kur takohen në Bruksel, Kurti ka thënë se ata bisedojnë në gjuhën angleze.
Po ashtu, ka thënë se Vuçiq e ka ndërtuar karrierën politike duke mos pranuar krimet serbe në Kosovë.
“Bisedojmë në anglisht. Ai e ka ndërtuar politikën dhe karrierën e tij, me mospranimin e krimeve të bëra në Kosovë. Ishte edhe ministër i Millosheviqit”, ka deklaruar Kurti.
Mes tjerash, Kurti ka thënë se tashmë e ka pranuar propozimin franko-gjerman si bazë për të biseduar me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. /GazetaExpress