Analisti politik dhe profesor i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Çedomir Çupiq, ka deklaruar se Kosova është e humbur për shkak të politikave joreale që u bënë për 10 vjet në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe kur në vitin 1999 shteti dhe ajo që e simbolizon shtetin e braktisi Kosovën, transmeton N1.
“Ishte e humbur nga aspekti ku ju thjesht nuk mund të bëni asgjë. Dhe asnjë qeveri nuk ka mundur të bëjë asgjë. Pushteti mund të kishin bërë diçka tjetër, ta dërgonin këtë problem në Kombet e Bashkuara, të organizoheshin dhe t’i ndihmonin materialisht. Kosova ishte një alibi për dështimet e të gjitha politikave kur ajo u shkëput në vitin 1999”, ka pretenduar Çupiq, transmeton Paparaci.
Me rastin e negociatave me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ai ka thënë se është dhënë një afat prej gjashtë muajsh për të arritur pranimin e dyanshëm i zgjidhjes së propozuar.
“Ajo që ndodhi në janar, ardhja e përfaqësuesve më të fuqishëm evropianë, së bashku me përfaqësuesen e SHBA dhe Lajçakut, është biseda e fundit dhe paralajmërimi i fundit, besoj se që nga ajo kohë rrjedh afati prej gjashtë muajve që kjo të përfundojë.
Ju mund të shihni se në 30 vjetët e fundit, gjithçka që lidhej me disa vende dhe probleme të caktuara – bisedimet zgjatën gjashtë muaj. Pas kësaj vijnë pasojat”, ka thënë Çupiq.
Ai përkujtoi se e njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1999, kur për herë të parë erdhën përfaqësuesit e vendeve më të fuqishme, kështu që pas tre muajsh patëm Rambujenë dhe saktësisht pas pas gjashtë muajsh patëm “fatkeqësinë që na ndodhi”.
Sipas tij, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kanë arritur marrëveshje parimore me Albin Kurtin.
“Escobar menjëherë pas bisedës me Kurtin thotë: “Pranon apo jo Kurti, do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, Kurti nuk ka pse të jetë në atë vend. Ata mund ta bëjnë këtë. Në fakt, Kosova ekziston falë SHBA dhe nuk e fshehin këtë. Dhe këtë e di edhe vetë populli i Kosovës”, përkujton Çupiq.
I pyetur nëse Serbia është pajtuar me planin e BE-së, Çupiq ka thënë se përfaqësuesit janë larguar të kënaqur.
“Ata u larguan të kënaqur, të buzëqeshur. Katër pushtetarët dhe Lajçak, i cili është ndërmjetësi. Kur ata vijnë, dihet se çfarë po ndodh”, ka shtuar ai.