Jehona Lushaku Sadriu nga LDK, ka reaguar pas një kërkese që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ia ka bërë prokurorit që merret me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, duke i thënë të tërhiqet sa s’është bërë vonë.
Lushaku-Sadriu ka vlerësuar se deklarata e ministres është kërcënim.
Sipas saj, po të ndodhte një kërcënim i tillë në një vend demokratik, ministrja do të shkarkohej.
“Si, asnjëherë më parë, një ministre e paska kërcënuar prokurorin e shtetit duke i thënë ‘dorëzohu’. Ministrja e drejtësisë Haxhiu. Po të ndodhte ky kërcënim në ndonjë shtet tjetër demokratik, ende pa kaluar dita do të pasonte dorëheqja ose shkarkimi. Por, kur nuk po shkarkohet ende ambasadori milioner Martini, pse me dhanë dorëheqje ministrja Haxhiu?!”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për prokurorë që nuk dorëzohen.
“pPosaçërisht kur kërcënohen nga ministra. Për të mirën e Kosovës!”, ka shkruar ajo. /GazetaExpress