Në emisionin EUROn’7 në T7, Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës, e ka cilësuar si alarmante ikjen e trurit nga Kosova.
Ai ka thënë se ikje të mjekëve ka pasur edhe në të kaluarën por vitin e fundit ky numër është rritur drastikisht.
Ai ka thënë se vetëm në muajin janar të këtij viti 32 mjekë janë larguar nga Kosova.
Sipas kreut të odës së mjekëve, gjatë një viti më shumë mjekë largohen nga Kosova sesa diplomojnë dhe sipas tij, kjo është tejet shqetësuese.
Në bazë të hulumtimeve nga Oda e Mjekëve të Kosovës del se paga nuk është arsyeja kryesore e largimit të tyre nga vendi. Ai deklaron se paga shpesh herë del të jetë arsyeja e fundit e largimit të tyre.
“Tash e katër vite oda e mjekëve është duke e monitoruar këtë proces të ikjes së trurit nga Kosova dhe mbi 600 mjekë janë larguar, ndërsa vetëm në vitin 2022 mbi 200 mjekë kanë lëshuar vendin, pra kemi një trend të rritjes. Bashkë me këta mjekë vendin e kanë lëshuar mbi 1,000 infermierë, ëka i bie se kemi deri 700 ekipe mjekësore më pak në vendin tonë dhe kjo është jashtëzakonisht shqetësuese dhe nuk e di se si kjo qeveri do të arrij ta ndal këtë trend të ikjes”, ka shtuar Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Sipas tij, arsyet e ikjes së mjekëve janë kushtet e punës, siguria në punë dhe e treta paga, ndërsa që në hulumtimin e fundit rreth trendit të ikjes ka dal se arsyeja kryesore e largimit të tyre është punësimi.
“Ky ndryshim është vërejtur në vitin e fundit ngase kemi mbi 360 mjekë të diplomuar dhe të papunë, shkak mund të jetë planfikimi jo i mirë i qeverisë qendrore.” /GazetaExpress
Video KËTU.