Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se kushti kryesor që Serbia të hyjë në Bashkimin Europian është vendosja e sanksioneve kundër Rusisë.
“Më duket se kushti i të gjitha kushteve është vendosja e sanksioneve kundër Rusisë dhe se pa këtë BE-ja nuk do të hapë grupe dhe kapituj të rinj për ne. Ne jemi këtu edhe për dialogun me Prishtinën, por Prishtina s’është [për dialog]”, tha ajo, shkruan Danas.
Këtë deklaratë Bërnabiq e bëri në prezantimin e 100 ditëve të para të qeverisjes.
Ajo foli edhe për Ballkanin e Hapur, duke thënë se gjatë këtij viti pret përparim të madh në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Është veçanërisht e rëndësishme që ne të fillojmë lëshimin e kartave të identifikimit të Ballkanit të Hapur për qytetarët e të tre vendeve, në mënyrë që me këto karta ata të mund të udhëtojnë, të punojnë, të studiojnë, të trajtohen dhe të qëndrojnë në secilin prej këtyre tre vendeve sikur të ishin qytetarët e tyre”, tha kryeministri.