Edhe pse u kundërshtua nga partitë opozitare, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka arritur që ta miratojë në parim Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Byroja u miratua nga 66 deputetë të cilët ishin prezent, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
E miratimi në parim i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka gëzuar edhe kryeministrin Kurti, i cili ka thënë se hap pas hapi po shkohet drejt Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, premtim ky me të cilin edhe erdhi në pushtet Kurti.
Por sipas analistit politik, Gani Qarri, problemi i konfiskimit të pasurisë nuk ka qenë tëk mungesa e ligjeve, por diku tjetër.
“Në fakt ligjet substanciale nuk kanë munguar asnjëherë, megjithatë ne jemi edhe vet dëshmitar se nuk ka mjaftuar vetëm projektimi dhe miratimi i tyre nëse nuk ka vullnet dhe njerëz të guximshëm që ato t’i zbatojnë edhe në praktikë, gjë që deri më tani nuk e kemi pa të ketë ndodhë, apo janë zbatuar vetëm ato pjesë të ligjeve të cilat u kanë konvenuar zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të shtetit sipas nevojave të veta personale e grupore, dhe vetëm në ato pika ku nuk prekeshin interesat e tyre monetare dhe pasurore. Në realitet, fakti se Kuvendi i Kosovës me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar Ligjin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duhet të na gëzojë të gjithëve, por kam frikë se ne si qytetarë të këtij vendi të shumëvuajtur, serish do të zhgënjehemi me gjyqësinë dhe organet ligj zbatuese të vendit”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Sic thotë Qarri, duhet sa më shpejtë të fillohet edhe me Vettingun në drejtësi, pasi tani për tani, nuk ka prokurorë që guxon të nis konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“E kjo duke u nisur nga vet përvoja e keqe e deritanishme që kemi me drejtësinë e kapur në Kosovë, nëse Vettingu nuk sjellë ndryshime thelbësore në prokurori dhe gjyqësi, ngase nga kuadrot që aktualisht kanë zënë vendet në prokurori dhe gjyqësi të Kosovës, pak ka që për momentin kanë guxim dhe vullnet të konfrontohen me super të pasurit e Kosovës, kur dihet se po këta super të pasur derisa ishin në pushtet, vet i kanë vendosur në pozitat që kanë prokurorët dhe gjyqtarët aktual”, shprehet Qarri.
“Përndryshe, ne kishim dhe rastin “Dehari” që ishte premtuar se shpejtë do të sqarohet e përfundohet, por nuk jemi askund, siç kemi edhe rastin më të ritë ndërtimeve të kundërligjshme në Brezovicë, i cili një kohë eci si duhet, bëri bujë të madhe në opinion dhe konfiskoi dhjetëra shtëpi e vila luksoze të ngritura me leje të strukturave ilegale serbe e në kundërshtim flagrant me ligjet e Republikës së Kosovës në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku janë përfshirë dhjetëra politikanë të lartë, por përveç opozitës duket se aty u prekën edhe interesat e ndonjë zyrtari të Qeverisë, ngase ka kohë që u hesht jo vetëm skandali në parkun Kombëtar Brezovica, por nuk po dëgjohet më as prokurori Maloku, i cili ishte ndër të vetmit, që vepronte publikisht kundër mafies dhe rrjeteve të krimit të organizuar në Kosovë”, shton analisti Qarri.
Më tej, ai thotë se mungesa e prokurorëve të guximshëm, është një sfidë për shtetin e Kosovës.
“Prandaj me gjithë entuziazmin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se me votimin e djeshëm, po shkohet hap pas hapi drejt Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, ai duhet të jetë i sigurt se ka edhe prokuror që janë të gatshëm t’i hetojnë pasuritë e paligjshme, si dhe gjyqtar të guximshëm që janë në gjendje të marrin vendime për konfiskimin e tyre, ngase të gjithë të inkriminuarit e dyshuar të cilët mund të akuzohen për pasuri të pajustifikueshme, kanë të drejtën e ankimit dhe vetëm gjykatat përkatëse mund të vendosin përfundimisht për konfiskimin apo jo të pasurisë se personave të paditur. Kështu që megjithëse Byroja në fjalë, është formuar për ta jetësuar dhe çuar në vend konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme, nuk mjafton vetëm formimi i kësaj Byroje dhe miratimi i ligjit, por institucionet përkatëse të cilat janë të thirrura që ta kryejnë pjesën e veprimeve praktike, duhet të jenë të gatshme dhe në gjendje që ta zbatojnë në plotëni dhe pa hile ligjin për konfiskimin e pasurive të paligjshme, duke filluar nga peshqit e mëdhenj tek të cilët konsiderohet se është grumbulluar pasuria më e madhe, gjë që në 23-4 vitet e fundit nuk kemi pa të ndodhë qoftë edhe njëherë të vetme në Kosovë”, shpjegon Qarri.
Ai kujton edhe raportime në media, ku raportohet për pazaret që bëhen në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Për aq më tepër, kur të kihet parasysh edhe numri i panjohur i sekserëve të infiltruar për mese dy dekada në prokurori e gjyqësi dhe rrjetit të shtrirë aq thellë të korrupsionit masiv e krimit të organizuar brenda vet sistemit të drejtësisë së inkriminuar, ku siç dëshmonte pak kohë më parë edhe një media në dosjen ekskluzive, me mbi 2 orë audio dhe video-incizime, njerëzit e inkriminuar të politikës kishin arritur ta blinin me 150 mijë euro ryshfet edhe ndikimin e ish Kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti, për të ndikuar në vendimet e gjyqtarëve dhe sjellë e rrotulluar drejtësinë sipas qejfit të tyre. Kryeministri dhe ministrja e drejtësisë, duhet të tregohen më të kujdesshëm dhje të jenë më të rezervuar në euforinë e tyre”.
Por a e ka guximin qeveria Kurti për t’i goditur ‘peshqit’ e mëdhenj në Kosovë?
“Dhe megjithëse miratim i këtij ligji, dëshmon se z. Kurti si individ dhe kryeministër i vendit ka guximin për t’i goditur peshqit e mëdhenj, institucionet ligjore dhe ligjvënëse janë ato të cilat duhet të jenë në gjendje ta kryejnë punën në terren, ngase konfiskimi i pasurive tek politikanët dhe zyrtarët tjerë të dyshimtë është çështje tejet e koklavitur, kur dihet se pasuritë e grumbulluara në mënyrë të paligjshme janë regjistruar në emra të dytë, të tretë e kush e di sa me radhë, ndaj kërkohen vite që të sqarohet komplet kjo dramë, të dihet kush-kujt çfarë i ka dhënë, çfarë ka regjistruar në emër të vetin dhe çfarë mbetet në fund, për tu konfiskuar. Nëse nuk arsyetohet edhe ajo nga vet prokurorët dhe gjyqtarët e blerë qysh më parë nga sekserët e peshqve të mëdhenj, që ata as pasuritë e tyre të mos i kap asnjë ligj”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.