“Njohje reciproke ose Kosova shpërbehet” – analistët shqiptarë flasin për Asociacionin
I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak u takua në një drekë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili konfirmoi se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë. Skepticizmi ndërkohë mbetet i lartë për Asociacionin e komunave serbe, për të cilën duket se SHBA është tashmë e investuar duke garantuar se ky hap drejt zgjidhjes së marrëdhënieve me Beogradin nuk do të jetë një dështim si çka ndodhur në Bosnje.
Për ekspertin e sigurisë Bedri Elezi, “Kosova ka obligim të kemi një partneritet natyral me SHBA dhe t’i besojmë premtimeve të tyre. Personalisht i besoj deklarimeve zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe jam i sigurt që përpjekja e tyre për krijimin e Asociacionit nënkupton garancinë në raport me zgjidhjen e çështjes me Serbinë. Kosova është një projekt amerikan dhe nuk do të lejojë që struktura të mbështetura nga Rusia të minojnë atë shtet. BE ka reaguar vetëm pasi ka patur një pozicionin të mirëfilltë të qeverisë amerikane”.
Gazetari Ben Andoni duket më pak optimist. I ftuar në “Debat”, sipas tij “Kosova duhet të marrë më të shumtën e asaj që mund të marri. Kam perceptimin që Kosova, edhe pse e pavarur, do të jetë e cenuar për interes atë mëdha gjeostrategjike. Eshte e vërtetë që është krijesë e SHBA, por edhe Rusia nuk do të jetë ajo e dikurshme, Kosova gjendet para sfidave të mëdha, dhe besoj se do të ketë një cenim që do të na dhëmbi me dekada të tëra”.
Për analistin Enver Bytyçi njohja reciproke duhet të jetë kusht i panegociueshëm.
“Duhet të kishte unitet, ata që kanë shkaktuar problemin e Asociacionit duhet të kërkojnë ndjesë , dhe qeveria duhet të shtrijë dorën e dialogut, por jo në mënyrë sipërfaqësore. Unë mendoj se kjo është një marrëveshje e ndërmjetme, ndërkohë që në atë përfundimtare Beogradi synon ndarjen e Kosovës, dhe këtu shoh me skepticizëm qasjen amerikane dhe europiane. Zgjidhja përfundimtare nuk e dimë se çfarë do të na sjellë, dhe Asociacioni do të jetë instrument që ndihmon projeksionet serbe për zgjidhje përfundimtare. Qeveria e Kosovës duhet të ngulmojë që marrëveshja të çojë në njohje reciproke , përkundrazi Kosova do të shkojë drejt një shpërbërje, çka do të ishte fatale sepse pasuritë më të mëdha do t’i shkonin Serbisë, dhe pjesa tjetër do t’ i bëhej barrë Shqipërisë, dhe Shqipëria asaj pjese”. /A2NEWS