Kamberi dorëzon në Kuvendin e Serbisë propozimin për përdorimin e lirë të flamurit shqiptar

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka dorëzuar këtij institucioni propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.

Përmesnjë postimi në Facebook, deputeti Kamberi është shprehur se në rastet e komunave ku pakicat përbëjnë më pak se 5 për qind të strukturës etnike, me këtë propozim kërkohet lejimi i përdorimit të flamurit në festat kombëtare të pakicave nacionale.

“Në procedurë parlamentare sot dorëzova propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Neni 14, alinea 2 e këtij Ligji ndalon përdorimin e simboleve kombëtare “nëse janë identik me simbolet e shtetit tjetër”.

Me propozimin e ri kam kërkuar ndryshimin e plotë të këtij Neni, eliminimin e pengesave për përdorimin e simboleve, me propozimin që simbolet e pakicave të përdoren lirshëm dhe zyrtarisht gjatë tërë vitit në institucionet e vetadministrimit lokal dhe organet shtetërore në të gjitha komunat në të cilat gjuha e pakicave është gjuhë zyrtare”, ka shkruar ai.

Sipas Kamberit, propozimin për ndryshimin e këtij ligji e kanë përkrahur edhe deputetët Enis Imamovic dhe Selma Kucevic nga SDA e Sanxhakut dhe deputeti i pavarur Aleksandar Olenik.