Escobar: S’ka afat zyrtar, por do donim marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur

Emisari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur pas takimit të sotëm të tij dhe të katër diplomatëve të tjerë në Kosovë dhe Serbi, për të diskutuar për hapat në dialog.

Teksa foli për pritshmëritë e arritjes së një dakordimi, Escobar tha se do të donin të arritej sa më shpejt të jetë e mundur, pa dhënë ndonjë kufizim.

Megjithatë, emisari Escobar shtoi se duhet lëvizur shpejt.

“Ne do të donim një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do ta kishim nesër, do ta pranonim nesër. Nëse duhen dy vjet, atëherë dy vjet. Por ne duhet të lëvizim shpejt, sepse çdo konfrontim që shohim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjithnjë e më i rrezikshëm”, është shprehur Escobar në një intervistë për Euronews Serbia.

“Prandaj, nuk dua të flas në emër të tyre, por them se ne e mbështesim plotësisht procesin dhe do të mbështesim Serbinë dhe Kosovën që të ndërmarrin hapa konkretë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Escobar tutje.

Duke iu përgjigjur pyetjes se nëse është e mundur zgjidhja pa njohje zyrtare të Kosovës nga Serbia, ai përsërit se kjo nuk është e mundur nëse vazhdojnë këto kriza në rajon.

“Nëse këto mosmarrëveshje midis vendeve që mund të çojnë në dhunë vazhdojnë, atëherë nuk është e mundur,” thotë Escobar.

Ai shpreh besimin se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëri-tjetrin “sepse ajo që përcakton Ballkanin Perëndimor është potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që ka, i cili rritet kur punojmë së bashku”.