“Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, Shqipëria nis ushtrinë drejt Kosovës pas vërshimeve

Shqipëria ka vendosur t’i ndihmojë Kosovës pas situatës së rëndë të krijuar pas vërshimeve dhe reshjeve intensive disaditore.

Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar se tashmë trupat dhe forcat e armatosura të Ushtrisë së Shqipërisë janë nisur drejt Kosovës.

“Trupat dhe mjetet tona të Forcave të Armatosura, për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”, ka shkruar Rama.

Ai ka publikuar një video të makinerive që janë dislokuar në Kukës, gati për t’u nisur drejt Kosovës.

Videon e njëjtë e ka publikuar edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës. Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, ka shkruar ai.

Vërshimet e ditëve të fundit kanë prekur disa komuna të Kosovës, por në masë më të madhe janë dëmtuar komunat e Skenderajt, Mitrovicës, Istogut dhe Klinës.

FSK, por edhe qytetarë vullnetarë, kanë ndihmuar deri tani shumë banorë të këtyre komunave, pronat dhe shtëpitë e të cilëve janë përmbytur nga ujërat.