Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreu i Qeverisë së Kosovës të hënën më 16 janar i ka bërë një dedikim të veçantë Oliver Ivanoviqit, politikanit serb që u vra në vitin 2018. Kurti kishte kujdesur që të zgjidhte fjalët më të mira për Ivanoviqin duke e quajtur si “person të përkushtuar”, “i respektueshëm” e ndërkohë shprehte dëshirën që “kujtimi i tij [Ivanoviqit] të mbetet gjallë”.
Një deklarim i tillë i Kurtit me zë dhe figurë ka nxitur reagime të mëdha në vend, meqë Oliver Ivanoviq ishte dënuar më 9 vite burg për krime lufte.
Edhe vetë Kurti si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në prill të vitit 2018 në një intervistë të dhënë për TV1 të Sarajevës kishte thënë se “Oliver Ivanoviq është kriminel luftë”.
“Mendoj se Oliver Ivanoviqi ishte edhe kriminel luftë. Ai është dënuar me 9 vjet burg për këtë arsye nga ana e gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë. Mirëpo ai ka qenë një kriminel i atillë që me gjasë ishte penduar për të bëmat e tij dhe mbase kishte pranuar të bëhej dëshmitar”, kishte thënë Kurti për televizionin nga Sarajeva.
Video e kësaj interviste është publikuar ne faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje me përkthim në gjuhën shqipe.
Por pesë vjet pas, Kurti ka glorifikuar figurën e Oliver Ivanoviqit duke e kujtuar atë me fjalët më të mira.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë Kurti./Express/