Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, sot është takuar me Komisioneren e Lartë të shtetit të Eswatinit, në Londër.
Për këtë shtet ditë më parë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës.
Por, Kapiti sot demantoi këtë duke thënë se Kosova dhe Eswatini po forcojnë raportet dhe se po eksplorojnë për mundësitë ekonomike, raporton Gazeta Express.
“Sot bëra një vizitë te Komisionerja e Lartë znj. Thandazile P. Mbuyisa në Ambasadën e Mbretërisë së Eswatinit, në Londër. Ishte kënaqësi të trajtonim ngjarjet aktuale globale dhe ne mezi presim të forcojmë marrëdhëniet tona Eswatini-Kosovë duke eksploruar mundësitë ekonomike”, ka shkruar në Twitter Kapiti.
Njëjtë ndodhi edhe me shtetin e Libisë, i cili ishte në mesin e nëntë shteteve për të cilin Vuçiq tha se çnjohu Kosovën.
Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, dje njoftoi se ka takuar ambasadoren e Libisë në këtë vend, Amel Jerary, duke thënë se kanë rënë dakord për thellim të marrëdhënieve Kosovë-Libi.
Ministria e Jashtme e Kosovës, pas pretendimeve të Vuçiqit, tha se nuk ka pranuar asnjë njoftim për tërheqje të njohjes.