Hysri Peqani apo siç njihet me emrin “Burdushi” i cili pretendohet se është mjek popullor është dënuar sot me 4 vjet e gjysmë burg dhe 42 mijë euro gjobë për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe vepra të tjera penale si dhe ka vendosur që pasurinë që kalon vlerën e 2 milionëve të ia konfiskojë të akuzuarit.
“Burdushit’ dënimi i është shpallur nga Gjykata e Prishtinës.
Prokuroria Speciale të njëjtin e akuzon për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje të parasë.
Në vitin 2019 emisioni Drejtësia në Kosovë kishte përcjellë aksionin e prokurorisë në shtëpinë e “Burdushit”.
Kështu, në mëngjesin e 26 korrikut 2019 nën urdhrat e dy prokurorëve të Prizrenit, Fatos Ajvazi dhe Petrit Kryeziu, zyrtarë të policisë së Kosovës ia kishin mësyrë lagjes ku jetonte personi që dyshohet se merret me fall dhe mashtrim të qytetarëve.
Fillimisht gjatë këtij aksioni në shtëpinë e “Burdushit” ishin parë njerëz që i besojnë teorisë së mjekimit popullor dhe që kishin shkuar aty gjoja për të marrë ndihmën.
Në nisje, i dyshuari ishte prangosur gjersa prokurorët kishin dhënë urdhrin që të nisin me bastisjen e shtëpisë.
Policia kishte mbledhur prova materiale si: fotografi, hajmali, plumba dhe disa materiale të tjera. Këto ishin konfiskuar nga policia.
Gjatë këtij aksioni të dyshuarit i ishin konfiskuar edhe disa makina dhe materiale tjera të vlefshme që pretendohej se ishin fituar nga veprimtaria e dyshimtë.
Ndër të tjera, “Burdushi” akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.