“Nuk rrëzohet qeveria Kurti me planet e Vuçiqit o burra”, analisti reagon ashpër pas plagosjes së të rinjve serbë

Dy të rinj serbë janë plagosur të premten pasdite në komunën e Shtërpcës. Policia e Kosovës ka arrestuar një pjesëtar të FSK-së, si të dyshuarin kryesor për plagosjen me armë zjarri të një 11-vjeçari dhe një 21-vjeçari në fshatin Djarkovc të Shtërpcës.

Gjendja e të plagosurve është e mirë, ndërsa reagime të shumta ka pasur duke dënuar këtë akt. Por, disa “bëjnë me gisht”, ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se ai fshihet prapa këtij akti.

Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikolla Sanduloviç, ka thënë se ky është akt i klanit kriminal të Ëagnerit, kriminelit dhe të çmendurit Aleksandër Vuçiq.

“Kur të arrestohet publikisht ‘Shqiptari’ me emër dhe mbiemër të plotë, i cili gjoja ka qëlluar në Shtërbac mbi fëmijët e pafajshëm serbë të veshur me pemën e Krishtlindjes, atëherë do të besoj se kjo nuk ka lidhje me ty dhe klanin tuaj kriminal të Wagnerit, krimineli dhe i çmenduri Aleksandar Vuçiç”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

“Tash u kujtuat pas 10 vitesh të diktaturës dhe sundimit tuaj, befasisht për herë të parë të shkoni në Hilendar për Krishtlindje! A është kjo alibia juaj? Në Hilendar, ku një i krim i tillë ndodhi kundër fëmijëve serbë dhe pikërisht gjatë Krishtlindjeve. Ik i çmendur!”, shkroi më tutje ish-kandidati për president të Serbisë.

Ndërsa, analistët e konsiderojnë të çuditshëm faktin sesi po linqohet pjesëtari i FSK-së, ende pa u sqaruar rrethanat.

Skënder Mulliqi, pyet sesi nuk është reaguar kështu, gati në kor, kur Serbia ka vrarë, masakruar, dhunuar, përndjekur nga trojet dhe kur dogji shtëpitë.

Ai pohon se qeveria Kurti nuk rrëzohet me planet e Vuçiqit.

“Është çudi se si u reagua gati në kor, plagosja e dy të rinjve serbë në Shterpc, duke harruar se nuk është e largët koha, kur Serbia na vrau, masakroi, dhunoi, përndjeku nga trojet tona, dhe na i dogji shtëpitë. Ky kor servil i qarqeve opinoniste dhe një pjesë e opozitës, është i turpshëm. Nuk po linqohet vetëm pjesëtari i FSK-së, pa u sqaruar rrethanat, por po i bëhen edhe dëme politike Kosovës. Serbia po tenton ta paraqet minoritetin serb si viktimë, e që nuk përkon fare me realitetin. Këtë e dinë mirë kori në fjalë. Nuk rrëzohet Qeveria e Kurtit më planet e Vuqiqit o burra, nëse dikush po e dëshiron! Po, kjo është për studim, se me çfarë reagimesh po ndeshemi, që nuk i patëm këso reagime krejt pas luftën kur strukturat paralele kriminale serbe, na gjuajtën më bomba, rrahen dhe vranë shqiptarë, madje edhe ndërkombëtar në veri, por edhe në brendi të Kosovës. Turma e serbëve atë ditë në Shtërpcë, sigurisht ka qenë e dehur nga Shlivovica dhe nga shovinizimi serbomadh, duke provokuar, pjesëtarin e FSK-së”, thekson Mulliqi.

Sipas tij, e gjithë kjo zhurmë i shkon në përkrahje propagandës së Vuçiqit, gjersa shton se incidente të tilla ka pasur me bollëk në Serbi.

“Gjithë kjo zhurmë mediatike shqiptare, po shkon në përkrahje të propagandës të Vuqiqit. Pa vonuar shumë serbët gjakprishur kanë sulmuar një autobus më udhëtarë në Serbi, duke iu thyer xhamat. Kemi pasur incidente të tilla më bollëk, në Serbi, madje burgosje dhe vrasje të shqiptarëve dhe shumica kanë mbetur të heshtuara! Incidentet e parreshtura të serbëve dhe rusëve në veri, janë plane djallëzore të Serbisë dhe Rusisë për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit. Provokime më incidente kemi që shumë kohë në Mal të Zi dhe në Bosnje, e të gjitha këto po bëhen për të përshkallëzuar situatën politike dhe të sigurisë, nga ana e Putinit dhe Vuqiqit. Dhe, për çudi, këto incidente jo të vogla, sikur po heshtën nga faktori ndërkombëtar, kur dihet së Rusia me luftën në Ukrainë dhe më këto incidente në Ballkan, po dëshiron kthimin e hegjemonisë së humbur nga Lufta e Ftohtë”, deklaron Mulliqi.

Këto synime serbo ruso të mëdha, duhet të ndalen thotë Mulliqi, gjersa shton se duhet mobilizim të shqiptarëve.

“ Këto synime serbo rusomëdha në Ballkan ishte dashur të ndalen sa nuk është bërë vonë. Unë në këtë kontest i shikoj të gjitha zhvillimet e fundit, por edhe incidentet të cilat sapo ndodhën. Nevoitet mobilizim i përgjithshem i shqiptarëve! Evropa po heshtë, por ne nuk guxojmë të heshtim, se këto kërcënime kanë kaluar tashmë çdo përmasë!”, përfundon Mulliqi.

Për të rinjtë e plagosur, të dielën është mbajtur edhe protestë nga Lista Serbe dhe përkrahësit e saj, protestuesit kanë mbajtur në dorë pankarta “Shtërpca është zemra e Serbisë” dhe “Ne duam vetëm paqe”.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u tha protestuesve se “terrori i regjimit diktatorial të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit vazhdon si në Shtërpcë, ashtu edhe në veri”.

Ai tha se “kohët janë të vështira, sepse në krye të institucioneve të Kosovës është një njeri i verbuar nga urrejtja, me të cilin nuk mund të negociohet”.

“Qëllimi i tij është të krijojë kushte të tilla që serbët të largohen nga vatrat e tyre”, tha ai.

Rakiq tha se serbët nuk duhet të dorëzohen.

“Lufta jonë me mjete paqësore dhe demokratike dhe harmonia jonë, janë armët tona më të forta për t’i rezistuar regjimit diktatorial anti-serb të Albin Kurtit. Më besoni, nëse jemi të bashkuar, me siguri do të fitojmë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha se serbët as nuk do të frikësohen dhe as nuk do të dorëzohen, dhe se “serbët duan të mbesin në vendet e tyre”.