Me lot në sy, flet bashkëshorti i pastrueses që vodhi mijëra euro nga vilat luksoze: Nuk kam qenë në dijeni

Rozeta Rakipllari alias Dobi ka arritur që së bashku me djalin e saj Havier Dobi të zhvaste mijëra euro nga shtëpitë luksoze në të cilat punonte si pastruese.

Bashkëshorti i saj, Spartak Dobi ka folur mbrëmjen e sotme dhe ka thënë se nuk kishte asnjë dijeni për ngjarjen.

Në emisionin “Review”, ai tha se gjendja e tyre ekonomike ishte e mirë dhe nuk ishte në dijeni për veprimet që bënte gruaja.

“Nuk kam pasur dijeni për ngjarjen e as nuk dua të kem. Kam 25 vite me të. Kam dy kalamaj me të. Gocën e kam shtatzënë po qan. Djali nuk kishte pse të futej në këtë ngjarje. Nuk e di të saktë mirë, i vras të gjithë. Policia ka ardhur pardje. Policia i gjeti dje paratë, unë nuk kam ditur gjë. Unë marr pension të mirë. Kam punuar vetë polic”, thotë Spartak Dobi.

Rozeta Rakipllari, së bashku me djalin e saj Havier Dobin është autore e vjedhjes së 524.800 eurove, 8500 dollarëve dhe 368.000 lekëve të rinj si dhe aksesorë flori, në banesën e Alda Klosit alias Çiko, e cila ka qënë Drejtore Kabineti pranë ish-ministrit të Rindërtimit dhe ish-Zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.

Mësohet se shuma parave është vjedhur së bashku me kasafortën e lëvizshme që Klosi mbante në shtëpinë e saj në “Rrugën e Kosovarëve.”

Në momentin e vjedhjes, Klosi nuk ndodhej në banesë pasi kishte udhëtuar jashtë shtetit.

Një kopje të çelësit të shtëpisë ja kishte besuar pastrueses së saj personale, Rozeta Rakipllari alias Dobi.

Rozeta Rakipllari, ka pranuar të tregojë se vjedhjen e banesës së Alda Klosit, e ka kryer së bashku me djalin e saj, Havier Dobin, i cili e ka ndihmuar për të lëvizur kasafortën që Klosi mbante në shtëpi.

Nga ana tjetër Klosi deklaroi se lekët i kishte të deklaruara dhe i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait.

“Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie, për xhaxhin tim që e kam me tumor. Ndodhet në SHBA. I kemi gjetur, mbledhur lekët për këtë rast. Unë kam qenë në Amerikë. Denoncimin e bëra vetë”, tha Klosi.