Kroacia u fut në Eurozonë dhe Schengen, Von der Leyen: Festë për të gjithë europianët

Ardhja e vitit 2023 solli përfshirjen e Kroacisë në zonën Schengen dhe bashkimin e saj me monedhën e përbashkët Euro.

Presidentja e Komisionit Eeropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti arritjet duke i cilësuar si të jashtëzakonshme.

Duke folur nga pika kufitare në qytetin e Breganës, e shoqëruar nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviq dhe presidentja sllovene, von der Leyen tha se kjo është një ditë feste, jo vetëm për kroatët por për të gjithë europianët.
“Kjo është mbi të gjitha një ditë gëzimi dhe krenarie për popullin kroat. Është dëshmi e rrugëtimit tuaj të jashtëzakonshëm, punës suaj të madhe dhe vendosmërisë tuaj. Është një ditë feste jo vetëm për kroatët, por për të gjithë shtetasit europianë. Nga ky moment, kufijtë ndërkombëtarë mund të kalohen lirisht pa kontroll”, tha Von der Leyen

“Asgjë nuk është e njëjtë pas kësaj” tha Plenkoviq, duke vënë në dukje komoditetin që do të sjellë për kroatët lëvizja e lirë dhe bashkimi me monedhën europiane.

Presidentja e Komisionit Europian vlerësoi punën e popullit kroat dhe veçoi Plenkoviçin për reformat e nevojshme për bashkimin e shpejtë në klubin e monedhës së Bashkimit Europian.

Ajo tha se euro “sjell stabilitet dhe besueshmëri makroekonomike” brenda dhe jashtë vendit.