Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka përmendur sërish marsin si një afat për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një intervistë për “Politiko” thotë se përpjekjet nuk do të pushojnë, duke shtuar se afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje.
Lajçak flet edhe për heqjen e barrikadave, duke thënë se tensionet mbeten të larta dhe niveli i mosbesimit është po ashtu në një nivel të ngritur.
“Besoj se e ka zgjidhur problemin, por tensionet mbeten të larta. Niveli i mosbesimit është më i lartë se kurrë më pare”, shtoi ai.
“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme tani është që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi Lajçak. /Lajmi.net/