Gazetari Vehbi Kajtazi, ka thënë se ish-polici i arrestuar më 10 dhjetor si i dyshuar për terrorizëm, Dejan Pantiq, është duke u mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në stacionin policor në Jarinje.
Sipas tij, shteti i Kosovës është përgjegjës për shkeljet flagrante të të drejtave të tij, raporton Paparaci.
“Këtë duhet ta ketë parasysh kryeministri, presidentja, të gjithë. Një ankesë në Gjykatën Supreme, jam i bindur se e liron për shkak të mbajtjes arbitrare të tij. S’ka kompetencë”, tha ai.
Për Kajtazin, nëse do të krerët e shtetit do të kishin qenë të koordinuar me ShBA-të, sot nuk do të ishte kjo gjendje.
“Sa herë e kemi pasur koordinimin me ShBA-së, kemi pasur rezultate pozitive”.
“Është zyrtari policor i ndaluar në një kontejner në veri të Kosovës. Ai mbahet në mënyrë arbitrare i ndaluar atje. Në mënyrë të kundërligjshme. Ai është qytetar i Kosovës. Ai është një i dyshuar veç pse i përket nacionalitetit serb. Kodi i Procedurës Penale i ka paraparë disa çështje dhe i ka theksuar aq mirë edhe me minuta dhe orë”, theksoi Kajtazi.
Kajtazi shpjegoi se Policia e Kosovës nuk mundet ta mbajë askënd të ndaluar më shumë se shtatë orë pa një urdhër apo vendim të Prokurorit të rastit.
“Me urdhër/vendim të Prokurorit mundesh me mbajt 48 orë, pas 48 orëve duhet një vendim i Gjykatës nëse dikush është i lirë apo i burgosur. Kemi një Gjykatë qëi shqipton masën e paraburgimit, dhe momentin që i shqiptohet kjo masë, atëherë i dyshuari nuk ka punë me policinë, por është Shërbimi Korrektues përgjegjës dhe kompetent për këtë. Ku po mbahet ai? Në dorën e Policisë. S’ka arsyetim këtu, ka arsyetime politike. Ky është arsyetim ligjor”, shtoi ai në Klan Kosova.
Për krejt këto zhvillime, Kajtazi shprehet se Kosova nuk po e shtrin sovranitetin e saj në veri të vendit.
Ditë më parë, KFOR-i ka konfirmuar se kërkesa e Kosovës që përmes një helikopteri, i arrestuari Dejan Pantiq të transferohej nga Jarinja për në Prishtinë është refuzuar për shkak të mungesës së sigurisë.
Sipas autoriteteve të Kosovës, Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.
Më 12 dhjetor, atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Beogradi zyrtar pretendon se Pantiq është arrestuar “pa arsye”.
Arrestimi i tij ka nxitur disa serbë lokalë që të ngrenë barrikada më 10 dhjetor në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.