Janë bërë 12 ditë prej kur Serbia i ka bërë kërkesë misionit të NATO-s në Kosovë që t’i lejojë futjen e ushtarëve dhe policëve serbë në territorin e Kosovës.
Akoma pa e dorëzuar zyrtarisht kërkesën, diplomati amerikan, Gabriel Escobar, kishte reaguar ashpër ndaj kësaj ideje, duke mos i dhënë asnjë mundësi tjetër pos refuzimit të saj.
Por, tani që Serbia e ka çuar kërkesën, KFOR-i nuk është ngutur për t’i dhënë përgjigje negative, sic e paralajmëronte Escobar.
Profesori amerikan, Daniel Serwer, nuk pret që KFOR-i t’i përgjigjet Serbisë në atë që ai e quan provokim, e jo pyetje.
“Dyshoj nëse ndonjëherë do t’i përgjigjen. Është një pyetje që është bërë në formë të provokimit, jo për të marrë përgjigje” .
closevolume_off
Kur serbëve të veriut iu kërkua që të braktisin vendet e tyre të punës në institucionet publike, Kryeministri Kurti tha se presidenti serb, Aleksandër Vuciq, po provonte të destabilizonte situatën me këso metoda, për ta mbuluar refuzimin që ia ka bërë propozimit evropian, të njohur si plan franko-gjerman, për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Serwer thotë se në fakt nuk ka asgjë të fshehur këtu dhe se Serbia nuk do që të ketë bisedime për normalizim.
“Albini e di më mirë se unë. Mendoj se të dhënat janë të favor të asaj që ai e thotë. Nuk ka asgjë të fshehur; Serbia po provon ta bëjë të pamundur që të bëhen bisedime serioze për normalizim”, thotë Serwer.
Qeveria e Kosovës pret që KFOR-i të veprojë, ndonëse janë shpeshtuar deklaratat ku thuhet se Policia e Kosovës ka mundësitë dhe gatishmëritë për t’i hequr barrikadat. KFOR nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do të ndërmarrë ndonjë veprim për t’i hequr ato. Ndërkombëtarët thonë se ato duhet hequr me negociata.
Profesori amerikan e sheh si zgjuarsi të Kurtit që ai po i jep kohë KFOR-it që të veprojë për largimin e bllokadave nga rrugët e veriut.
“Do të ishte shumë më mirë që ai të mos e rrezikojë policinë e tij me konfrontim direkt me njerëz, të cilët qëllimin e vetëm e kanë destabilizimin”, thotë ai.