Sonte gjatë emisionit “Pressing” të T7 ka ndodhur një përplasje mes ish-kryenegociatores Edita Tahiri dhe analistit Sadri Ramabaja.
Pasi Tahiri tha se Kurti “nuk guxon ta bëjë asociacionin” dhe e këshilloi që të flasë me opozitën, Ramabaja tha se “ajo hyn në grupin e politikaneve joserioze”.
Mirëpo, Ramabaja ia lëshoi edhe disa fjalë të tjera. Sipas tij, Tahiri “duket si gjyshe dhe është mirë për me mbesa e nipa”.
“Në gjykimin tim, ajo hyn në grupin e politikaneve më joserioz dhe s’ka nevojë të diskutohet shumë rreth kësaj çështje. Është autorja e marrëveshjes që e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë dhe do duhej të përgjigjej politikisht, moralisht madje edhe ndoshta penalisht, sepse marrëveshja e 2013-s është shkelje e Kushtetutës dhe në këtë situatë na kanë sjellë politikanët e papërgjegjshëm si qiftja e kësaj. Nuk iu është thënë asnjëherë se janë përkdhelur kjo kategori… Edhe tash me ligjërata të kësaj natyre duket si gjyshe, mirë është për me nipa e mbesa, por jo për të na humbur kohën neve këtu”, tha Ramabaja.
Pasi Ramabaja përfundoi fjalën, Tahiri pyeti se kush foli për shkak se, sipas saj, “nuk e shihte se kush flet”, meqë ishte në lidhje live me Skype.
Pasi iu kumtua emri i Ramabajës, Tahiri tha se ia “çoi mallin e filmave të partizanëve”.
Ajo tha se kur “LDK ka mobilizuar gjithë popullin” nuk e din se ku ishte “ky far Ramabaja”.
“Ma çoi mallin e atyre filmave e partizanëve që i shihnim, u befasova se ne jemi gjeneratë e pavarësisë, që jemi ngrit kundër Millosheviqit, me guxim dhe kemi formuar LDK-në, kemi mobilizuar krejt popullin, s’di ku ka qenë ky far Ramabaja, por ne i kemi lëvizur komplet mekanizmat. I bëmë të gjitha, mobilizim 100 për qind krejt popullin në këmbë, krejt diasporën, e lidhëm aleancën strategjike me Amerikën, e ndërtuam shtetin me institucione, vepruam, pastaj erdhi UÇK në kohën e duhur. Unë jam ajo që e ka bashku UÇK-në me LDK-në për në Rambuje”.