Petkoviq thotë se barrikadat janë “mjet demokratik e paqësor”

Shefi të ashtuquajturës, Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq i konsideron “mjet demokratik dhe paqësor” për të shprehur pakënaqësitë, barrikadat e vendosur në veri të Mitrovicës, numri i të cilave tashmë ka arritur në trembëdhjetë.

“Barrikadat paraqesin një mjet demokratik dhe paqësor që populli ynë të shprehë pakënaqësitë e tij, sepse pothuajse çdo ditë përjeton terrorin dhe mizorinë e Albin Kurtit”, ka thënë sot Petkoviq për RTS teksa ka vazhduar të propagandojë për përgatitje të sulmeve mbi popullin serb që jeton në këtë pjesë.

Grupet kriminale serbe kanë vendosur barrikada të reja në ditën e tetëmbëdhjetë të vendosjes së barrikadave të para.

Në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut është ngritur një barrikadë e re sot, duke bllokuar lëvizjen edhe brenda qytetit.

Kjo është barrikada e parë e vendosur brenda qytetit, duke shtuar kështu numrin e barrikadave të ngritura deri më tani në dymbëdhjetë.

Përpos aty, një barrikadë është vendosur edhe në urën e re tek vendi i njohur si “Kërshi i Dudës” në Zveçan, në rrugën që lidhë Rudarën e Zveçanit me Mitrovicën e Jugut.