“Veprim i turpshëm i regjimit diktatorial të Prishtinës” e ka quajtur Lista Serbe kthimin mbrapsht të Kryepatriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, nga pika kufitare e Merdares pasditen e së hënës.
Porfirije, të cilit nga Qeveria e Kosovës iu kërkua distancimi nga “përfshirja aktive” e Kishës Ortodokse Serbe në “mbështetjen e grupeve kriminale që po mirëmbajnë barrikadat qe 16 ditë”, nuk u lejua të vizitojë Kosovën në rastin e Krishtlindjeve.
Kjo, pasi ky i fundit shpërfillimi parakushtet e vendosura nga qeveria kosovare.
“Duke e ditur rëndësinë e Kishës Ortodokse Serbe në mesin e qytetarëve tonë, është e lehtë të kuptohet indinjata dhe revolta e secilir ortodoks për shkak të këtij veprimi të turpshëm e të paprovokuar. Lista Serbe dënon fuqishëm këtë akt të turpshën të regjimit diktatorial të Prishtinës dhe i bën thirrje të gjithë atyre që luftojnë për të drejtat e njeriut që të ngrisin zërat për zhbërjen e lirisë së lëvizjes nga Albin Kurti ndaj popullit serb, dhe madje edhe Patriarkut Porfirije”, ka shkruar Lista Serbe në një reagim.
Përmes një reagimi në Twitter, Porfirije shkroi se “m’i mbyllën dyert e shtëpisë”, pas kthimit të tij mbrapa për në Kurshumli.
“Sot, dyert e shtëpisë sime m’u mbyllën dhe i lutem Zotit të hap zemrat e atyre që i kanë mbyllur dhe që dashuria e Krishtlindjeve dhe lindja e Shpëtimtarit të prek mendjen dhe ndërgjegjet e të gjithë njerëzve”, ka shkruar kryepatriarku në Instagram.