Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar edhe 16 ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.
Që nga e shtuna e 10 dhjetorit kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë nëpër rrugët kyçe që çojnë drejt pikave kufitare, në Jarinjë e Bërnjak që vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Për këtë çështje dje foli kryeministri Albin Kurti, i cili tha se nuk mund të lejojnë që kjo situatë të vazhdojë edhe për shumë gjatë, ndërsa paralajmëroi takim me komandantin e KFOR menjëherë pas Krishtlindjeve.
Kurti tha se në barrikada po qëndrojnë persona të uniformuar dhe të armatosur që për qëllim kanë destabilizimin e vendit.
“KFOR ka kërkuar pak kohë prej neve, ne i kemi dhënë pak kohë, por jemi dëshmitarë që sot janë bërë dy javë.
Sot janë bërë dy javë që kur janë vendosur 11 barrikada gjithsej të cilat ndodhen në veri të lumit Ibër dhe ato janë duke penguar lirinë e lëvizjes.
KFOR gjithmonë është zotuar për ambient të qetë e sigurtë me vlerë kryesore lirinë e lëvizjes, vlera kryesore që e ka afirmuar KFOR në këto 23 vjet. Ne i kemi dhënë kohë KFOR pikërisht sepse liria e lëvizjes është konsideruar vlera themelore, në Republikën e Kosovës nga pikëpamja e KFOR. E tash lirinë e lëvizjes nuk e kemi sepse janë vendosur 11 barrikada, që siç e dini ju të gjithë nuk janë barrikada civile, janë barrikada të njerëzve të uniformuar, të armatosur dhe janë të pozicionuara asisoj që më shumë kanë të bëjnë për ta mbrojtur personin e e uniformuar dhe të armatosur që të shtijë në personin që vijnë sesa të mos lejojë tejkalimin e automjeteve në anën tjetër.
Nuk janë barrikada civile dhe KFOR-it ia kemi dhënë atë kohë. Shumë shpejt pas Krishtlindjeve duhet ta kemi një takim me komandantin e KFOR, unë si kryeministër dhe në të cilin besoj do të sqarojmë gjithçka.
Kjo nuk mund të tolerohet kështu pafundësisht, tashmë u bënë dy javë dhe nuk mund të lejojmë të kalojnë javë e javë tjera. Në atë takim besoj do të sqarohet gjithçka”, tha Kurti në një konferencë për media.
Para kësaj deklarate të kryeministrit Kurti, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia ka thënë se mbështesin dialogun për të gjetur marrëveshje me qëllim të zbutjes së tensioneve në veri.
“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën.
Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve.
Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhej në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi tri ditë më parë mundësinë e heqjes së barrikadave, nëse KFOR nuk vepron sa më shpejt.
Ndaj deklaratave të Sveçlës reagoi kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e cila tha se nuk beson në një skenar në të cilin policia e Kosovës do t’i largonte barrikadat në veri të Kosovës.Mbetet të shihet se çfarë do të sjell takimi i Kurtit me komandantit e KFOR-it i cili do të mbahet pas Krishtlindjeve, ku do temë kyçe siç e konfirmoi kryeministri do të jetë heqja e barrikadave në veri.