Veriu i Kosovës, tash e sa ditë vazhdon të jetë i bllokuar nga barrikadat serbe.
Bandat serbe në vazhdimësi kanë provokuar dhe kanë tentuar të nxisin tensione.
Përveç kësaj, më parë Beogardi ka kërcënënuar me dërgimin e 1000 trupave ushtarakë serbë në veri.
Marrë parasysh, provokimet dhe kërcënimet serbe, situata vazhdon të jetë ende e tensionuar.
Për zhvillimet në veri të vendit, foli politologu bullgar, Anton Pançev.
Ai për gazetën “Bota sot” tha se shteti serb nuk guxon të dërgojë trupa në veri, për shkak se e di se do përballej me forcat ushtarake nga ana e NATO-s.
Mirëpo, politologu bullgar nuk e përjashtoi mundësinë që Beogradi po dërgon grupe ekstremistësh.
“Nuk besoj se Serbia mund të dërgojë trupa ushtarake në mënyrë të hapur, por grupacione ekstremistësh pa dyshim. Politikanët serbë nuk kanë hezitim moral dhe do ta dërgonin ushtrinë e tyre, por e kanë të qartë se Serbia do të përballej në një rast të tillë me përgjigje të fortë ushtarake dhe politike nga ana e NATO-s. Por, si hipotezë, nëse në vitet në vijim agresioni rus ndaj Ukrainës do të kishte ndonjë lloj suksesi, Serbia do të shqyrtonte me seriozitet përdorimin e ushtrisë së saj kundër Kosovës dhe jo vetëm”, deklaroi Pançev.
Krahas kësaj, përmendi edhe barrikadat e vendosura në veri.
Sipas tij, shteti serb gjithmonë e ka përdorur nëntokën kriminale për realizimin e planeve të saj gjeopolitike përmes trazirave dhe spastrimeve etnike.
“Kam përkthyer në bullgarisht librin e znj. Fetnete Ramosajt “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” dhe falë punës së madhe të Fetnetes (pushoftë në paqe!) e di mirë historinë e dhunshme të këtyre bandave. Serbia gjithmonë e ka përdorur nëntokën kriminale për realizimin e planeve të saj gjeopolitike përmes trazirave dhe spastrimeve etnike, shkaktuar edhe nga këto struktura. Në Bruksel mendojnë se këta njerëz janë liderë të serbëve të Kosovës dhe duhet të jenë pjesë nga rregullimi i problemeve, por ata i shkaktojnë dhe vazhdojnë ta destabilizojnë situatën”, theksoi Anton Pançev për “Bota sot”.