Forcat serbe në Kosovë? Flet ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea

Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, është shprehur i bindur se admirali Stuart Munsch, i ka dërguar mesazhet e duhura presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për rëndësinë e të punuarit për qetësi dhe për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Ai dha sqarime të mëtejme se deri në çfarë periudhe KFOR, mund të shqyrtojë kërkesa të tilla siç qe ajo e Serbisë, për kthimin e forcave serbe në Kosovë.

”I takon KFOR-it të përcaktojë se çfarë dhe kur t’i përgjigjet kërkesës së Beogradit, por jam i bindur se autoritetet serbe tashmë e dinin përgjigjen edhe para se të formulohej kërkesa. Kreu i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, Napoli (përgjegjës për Kosovën), ishte në Beograd të hënën për të folur me presidentin Vuçiq, kështu që jam i bindur se janë dërguar mesazhet e duhura në lidhje me nevojën për të punuar për qetësi dhe depërshkallëzimin”, deklaroi ai.

Shea thotë se KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në të gjithë Kosovën dhe ka autoritetin të përcaktojë nëse ka nevojë për ndihmë nga palët e jashtme.

”KFOR-i ka përforcuar praninë e tij në veri të Kosovës ditët e fundit së bashku me policinë e EULEX-it. Prandaj nuk mund ta imagjinoj që futja e forcave serbe në Kosovë të jetë e nevojshme ose e dëshirueshme. Një lëvizje e tillë mund të përshkallëzojë situatën vetëm kur të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në de-përshkallëzimin. Do të ishte më mirë që Serbia t’i përqendronte përpjekjet e saj në parandalimin e radikalëve të krahut të djathtë që të përpiqen të hyjnë në Kosovë për të nxitur telashe ose të tentojnë të kapin pikat kufitare siç ndodhi gjatë fundjavës”, specifikon mes tjerash.

Britaniku i cili ishte pjesë e NATO-s deri në pensionimin e tij më 2018, potencon se nuk ka parë ende një dëshirë nga ana e KFOR-it, për të ndryshuar marrëveshjen e cila i përket Rezolutës 1244.