Disa njerëz e kanë të lehtë për të injoruar jo vetëm fjalët e të tjerëve kur hanë por edhe zhurmat e vogla e ato të mëdha. Por ka edhe nga ata që acarohen edhe me zurmën më të vogël dhe nuk duan që asgjë t’i shqetësojë kur janë duke ngrënë.
Nëse nuk e dinit kjo në fakt është çrregullim mendor që quhet misofonia dhe ka të bëjë me një reagim të tepruar emocional ndaj një zhurme ose tingulli të caktuar. Përveç përplasjes së buzëve që mund të ketë tjetri kur ha, ka njerëz që acarohen nga frymëmarrja e zhurmshme, por edhe gërvishtja e sipërfaqeve të ndryshme me thonj.
Një studim britanik ka arritur të zbulojë se çfarë ndodh në trurin e njeriut kur dëgjon zhurma të tilla bezdisëse. Në studim u përdorën rrezet X për të analizuar trurin e 20 personave që vuajnë nga misofonia dhe 22 të tjerëve që nuk reagojnë ndaj tingujve dhe këtyre zhurmave.Gjatë eksperimentit, të gjithë pjesëmarrësit ishin të detyruar të dëgjonin tinguj të ndryshëm si ai i shiut, ulërima, frymëmarrje, mbllaçitje apo edhe gërvishtje.
Më pas, grafitë treguan se në rastin e personave të prekur nga misofonia, pjesa e trurit që bashkëlidh shqisat me emocionet ishte më tepër aktive se tek personat e tjerë.
Një nga studiuesit e këtij eksperimenti i tha BBC-së se truri i njerëzve që vuajnë nga misofonia, ndizet nga zemërimi dhe rraskapitet nga këto zhurma e tinguj.
“Emocioni që mbizotëron në rastin kur dikush dëgjon dikë që mbllaçitet nuk është thjesht neveri. Është zemërim i pastër. Ngjan si një reagim normal, por pastaj merr përmasa më të mëdha,” tha eksperti Sukbinder Kumar.
Ekspertët thonë se për këtë çrregullim nuk ka trajtime të mirëfillta por reagimi mund të jetë më i keq nëse personi që ka misofoni konsumon alkool apo kafeinë.