Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Edmond Rugova, në emisionin “Favoriti i Botërorit” në T7 ka kujtuar një histori me futbollistët nga Kosova.
Rugova foli për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin, si dhe Valon Behramin, shkruan Gazeta Express.
Ai tregoi se si i kishte rënë në sy Shaqiri, falë talentit të tij.
Ish-përzgjedhësi i Kosovës foli edhe për rastin se si Shaqiri e kishte kërkuar fanellën me numër 10 te “Dardanët”.
“Fillimisht kam dërguar shkresë kur kam ardhur. Në vitin 2008 kam organizuar kamp për të ardhmen e Përfaqësueses së Kosovës. U paraqit një numër i jashtëzakonshëm. Ishin edhe vëllezërit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Behrami nuk ishte”, tha fillimisht Rugova.
“Aty më ra në sy Xherdan Shaqiri. Shtatshkurtër, jashtëzakonisht i fortë, entuziast e talent. Unë më atë entuziazmin tim i them mediat tonave, nëse Argjentina e ka një Messi, e ka edhe Kosova një, Shaqirin. Ai doli edhe shumë më i mirë se sa kam menduar. Pastaj ishte situatë e vështirë, kushtet ishin minimale. Ishin shumë të ri, ai thoshte nëse mundesh të më ruash fanellën më numrin 10. I thosha që po. Kam biseduar me të në vitin 2018 rreth kësaj, kur e mundën Serbinë. Qeshnim. Ai është djalë i jashtëzakonshëm, por edhe ata nga familja Xhaka. Të dyve iu uroj shumë sukses. Behrami ka qenë i ftuar disa herë nga unë. Por, mos harroni se Kosova nuk ishte e pranuar. Ne u pranuam në vitin 2016, unë po flas për vitet 2006,07,08,09. Nuk është e vërtetë që ata nuk donin të vinin në Kosovë. Me Xhakën nuk kam pas direkt kontakte. Behrami ishte entuziast, djalosh i mirë, si të tjerët që erdhën dhe përfaqësuan Kosovën”, shtoi ai.
Edmond Rugova tregoi edhe se e kishte përcjell më shumë emocion ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës.
“E kam ndjekur me krenari të jashtëzakonshme ndeshjen e parë zyrtare, me lot në sy”, tha Rugova. /Gazeta Express/