SHBA-ja pret propozime nga Qeveria për Asociacionin, paralajmëron ta bëjë me shoqërinë civile

Pas vizitës së emisarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Shtetet e Bashkuara presin nga Qeveria e Kosovës t’i shtrojë propozimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Madje Escobar paralajmëroi se nëse Qeveria nuk e bën Asociacionin, atë do ta themelojnë me akterë të shoqërisë civile. Por, sipas juristëve, Asociacioni nuk mund të themelohet duke e anashkaluar Qeverinë
Partnerë alternativë në funksion të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe paralajmëroi emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë. Zëdhënësja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, i ka thënë “KOHËS” se presin nga Qeveria që t’i shtrojë propozimet në tryezën e negociatave.

“Është e rëndësishme që liderët kosovarë të respektojnë zotimet e tyre. Kjo nënkupton të merresh me Asociacionin e komunave me shumicë serbe (ASK) dhe të zgjedhësh një model që funksionon—një model që fuqizon dhe balancon zërat e komunitetit duke ruajtur themelet demokratike multietnike të Kosovës dhe që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kosova duhet të jetë proaktive dhe të konsultohet për një zgjidhje të zbatueshme, dhe ne i bëjmë thirrje lidershipit të Kosovës ta bëjë këtë. Mendojmë se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të jetë e përgjegjshme ndaj votuesve të saj. ASK-ja është identifikuar nga komuniteti serb i Kosovës si një mënyrë për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të drejtat e tyre të mbrohen plotësisht. Ne presim që Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”, ka thënë Katherine Judd- zëdhënëse e Ambasadës së SHBA-së.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Escobar tha se nëse Qeveria refuzon ta bëjë këtë, atëherë Asociacionin për serbët do ta krijojnë në bashkëpunim me shoqërinë civile. E pyetur për rrugën që synohet të ndiqet pa përfshirjen e Qeverisë, zëdhënësja e Ambasadës vetëm e ka përsëritur se ky është obligim i Kosovës.

“Qëndrimi ynë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk ka ndryshuar: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një marrëveshje e nënshkruar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si një rrugë përpara për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, ka thënë tutje Judd.

Në Zyrën e Kryeministrit Kurti nuk kanë ofruar sqarime përkitazi me kërkesën e amerikanëve dhe mundësinë që Asociacioni të themelohet edhe pa përfshirjen e Qeverisë.

Në kuadër të vizitës në Prishtinë, Escobari të hënën takoi edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Një nga pjesëmarrësit e këtij takimi tha se u është kërkuar që të mos flasim lidhur me temat që janë diskutuar (foto mbulim).

Demush Shasha nga Instituti Epik thotë se nga deklaratat e Escobarit kuptohet se ka hendek mes tij dhe kryeministrit Kurti.

“Escobar foli për Asociacionin mbi termat e mundësisë dhe potencialin që Asociacioni ka për përmirësimin e jetesës së komunitetit serb në Kosovë dhe marrëdhënies së komunitetit serb me pushtetin qendror. Pra ky është një hendek i parë që u pa. Sa u përket hapave të ardhshëm edhe aty u vërejt një hendek, sepse edhe aty zotëri Kurti ka nënvizuar se Asociacioni ndoshta edhe mundet të themelohet por vetëm në kuadër të diskutimit për propozimin franko-gjerman. Pra, ai i sheh këto dy gjëra të ndërlidhura”, ka thënë Shasha.

Ndërsa ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të themelohet duke anashkaluar Qeverinë.

“Kjo përpjekje, pa asnjë dyshim, synon amnistimin e Qeverisë aktuale, sepse mëton të shoqërojë një kompetencë kushtetuese të Qeverisë. Qytetarët dhe shoqëria civile nuk kanë asnjë kompetencë kushtetuese për propozim dhe zbatim të politikës së jashtme të vendit. Kjo që synohet të bëhet, rrënon rendin kushtetues, dërgon në sferën populiste të një kompetence të qartë kushtetuese të ekzekutivit të vendit”, ka thënë Hasani.

Ndërkohë Serbia vazhdon të insistojë në Asociacion me kompetenca ekzekutive. Por marrëveshja e vitit 2015 për Asociacionin ishte cilësuar kundërkushtetuese.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ironizuar me, siç ka thënë, partnerët ndërkombëtarë, duke i pyetur se cilat marrëveshje duan t’i zbatojnë në raport me Kosovën.

“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur në dokumentin e gjashtë – shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003 – dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri Kurti deri tash ka refuzuar të diskutojë për Asociacionin, duke insistuar që dialogu të zhvillohet për marrëveshjen finale, e cila në qendër ka njohjen reciproke. Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, në letrën dërguar Kurtit, pati thënë se normalizimi i plotë duhet të çojë tek njohja e ndërsjellë mes dy vendeve./ Koha.net