Zogiani: Kosova tani është lojtare, jo vetëm pasuese në dialog

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa ka folur për situatën në veri të Kosovës dhe procesin e dialogut me Serbinë, ka thënë se Kosova tashmë është lojtar në këtë proces dhe jo vetëm “pasues i topit”.

I ftuar në emisionin 60 Minuta në KTV, Zogiani ka thënë se aktualisht Kosova ka një strategji – funksionimin e shtetit në gjithë territorin.

Ai më tej ka bërë një krahasim të qeverisë aktuale dhe atyre të mëhershme sa i përket varësisë nga Lista Serbe, që sipas tij asnjë lëvizje nuk e bën pa dijeninë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Gati asnjë gjë nuk është e paparashikueshme, edhe indikatorë të mëhershëm para Qeverisë Kurti na kanë edukuar se si duhet të reagohet në këtë pjesë. Kurdoherë që ka pasur tentim të autoriteteve kosovare për të vendosur kontroll në këtë pjesë të Kosovës, ka pasur përgjigje të ngjashme si tani. Nuk është se më herët këto struktura janë sfiduar. Kemi parë në vazhdimësi që ato kanë qenë të lëvizura me një gisht të Vuçiqit. Mbaj mend skenat kur qeveritë e Kosovës prisnin Listën Serbe të kthehej nga Beogradi për të formuar Qeveri. Sot nuk jemi të varur nga Lista Serbe”, ka thënë ai.
“Strategjia është pak a shumë që shteti i Kosovës të funksionojë në tërë territorin e vet në mënyrë të njëtrajtshme dhe asnjëherë nuk vihet në pikëpyetje nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.

Më tej Zogiani ka thënë se përpjekja aktuale e presidentit serb është t’i ndajë serbët e veriut nga ata të pjesëve të tjera të Kosovës.

“Përpjekja e aktuale e Vuçiqit është që t’i ndajë serbët në serbë të veriut dhe serbë të pjesës tjetër të Kosovës. Në Graçanicë tërësisht ndryshe është situate sepse nuk janë nën presionin e krimit të organizuar. Janë në konfuzion total se çfarë po ndodhë me fatin e serbëve në Kosovë, ndërsa në veri është tjetër situatë”, ka thënë ai.